Secondary Adv

Monitorimi i rrugëve me kamera, gati rregullat për sistemet inteligjente të trafikut

Udhëzimi i ri përcakton zbatimin e sistemeve inteligjente të trafikut në gjithë rrjetin rrugor.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar udhëzimin që përcakton mënyrën se si do të zbatohen sistemet inteligjente të transportit në të gjithë rrjetin rrugor të vendit. Dokumenti parashikon krijimin dhe funksionimin e shërbimeve për informacionin në kohë reale për trafikun, udhëtimet multimodale, sistemet e paralajmërimit të hershëm, eCall, që është thirrja automatike e emergjencës nga automjetet, si dhe shërbimet për parkimet e sigurta për automjetet tregtare.

 

Të dhënat rrugore dhe të trafikut do të bëhen të aksesueshme për publikun dhe operatorët përmes Pikës Kombëtare të Aksesit, e cila administrohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

 

Detyrime për institucionet dhe operatorët

Udhëzimi vendos detyrime të reja për institucionet publike dhe operatorët privatë lidhur me përditësimin, ndarjen dhe standardizimin e të dhënave mbi rrjetin rrugor, qarkullimin, incidentet dhe infrastrukturën e transportit. Dokumenti thekson edhe mbrojtjen e të dhënave personale, duke kërkuar që informacionet e mbledhura nga sistemet inteligjente të jenë të anonimizuara ose të pseudonimizuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Afërsia me standardet e BE-së dhe niveli i zbatimit

Udhëzimi synon të afrojë Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian për menaxhimin modern të trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore. Miratimi i tij vjen pas raportit vjetor të Komunitetit të Transportit, i cili vlerëson se në fushën e sistemeve inteligjente të transportit, Shqipëria ka arritur një nivel zbatimi prej 44%.

 

Sipas raportit, Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut është ndërtuar dhe pajisur, ndërsa vijojnë punimet për instalimin e kamerave dhe sistemeve inteligjente të transportit përgjatë rreth 200 kilometrave të rrjetit rrugor kryesor.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat